13-07-12

“Qeniet njerëzore shkruajnë e shkruajnë për thelbin e gjërave. Do ishte gjë shumë e mirë sikur gjërat të shkruanin ndonjë gjë për ne, a të mendonin për ne” (Lichtenberg)

Po a nuk janë gjërat që shkruajnë dhe mendojnë për ne ndërsa bota ndodh në literalizmin e vet?

By ellipsis

13-07-09

Krimbi që në fund vihet të tresë algën parazite pa të cilën nuk mund të tresë ushqimin e vet, e ashtu ngordh i uritur, pa mundur sidoqoftë ta tresë sepse mungon alga që do e bënte të realizueshëm atë proces. Më dramatike akoma, ajo gaforrja që endet në fund të oqeanit për të gjetur një vend të përhershëm dhe një herë të gjetur, ha trurin e vet meqe nuk ka për t’i shërbyer më, gjithë për çfarë i duhej ishte të gjente vendin që zgjedh të ngujohet. Në të njëjtën mënyrë ne fshijmë pjatën e asgjësë, meqë na ndihmon të tresim botën dhe pa të cilën nuk mund të mbijetojmë. Por prapë, ne nuk e ndalojmë dot veten prej kësaj sipërmarrje pa lavdi njësoj si ai akrepi që nuk e ndalon dot veten të hajë rrugës bretkosën që e ndihmon të kalojë lumin.

By ellipsis

2013-07-06

Gjuha – çdo gjuhë në fakt – tingëllon kaq bukur e pothuaj hipnotikisht kur nuk ka kuptim, si në formulat magjike që duhet të jenë zbrazura nga domethënia dhe sensi për të pasur ndonjë efekt çfarëdo  mbi materien. Sapo fillon të ketë kuptim gjuha fillon e bën pazar apo shet derë më derë  banalitetin e së folurës së zakonshme, kotësinë bisedore të gjithë gjuhëve të botës.

By ellipsis

Protected: Koment

This content is password protected. To view it please enter your password below:

By ellipsis

13-07-04

Duhet të shkruash për “Zhdukjen e kënaqësisë”, ideja është sesi rikthehet kënaqsia nëpërmjet procesit dhe realizmit të përshkrimit të ndryshëm, i tillë sepse tejkalon premtimin duke nënshtruar gjuhën dhe konceptet nën një trysni që i shndërron kumtimin (përshkrimit) duke e sjellë të jetë kënaqësi nga e para po atë subjekt në fuqi të gjendjes – për të cilin na u tha se sapo humbi, por kënaqësi natyrshëm e një lloji tjetër, e pacenueshme dhe përherë e qasshëme sepse tani ekziston në formën materiale të tekstit. Çast në të cilin duhet thënë se ku qëndron merita e tij si konfigurim ligjërimor, çfarë ka aty në aspekte paraqitjes, imazheve që të sulmojnë, tropeve që kthehen të thyejnë formën e tyre si nëpërmjet ndonjë procesi të njohur biologjik (pupat, krisalidët), prapë jo për të shpallur ndonjë kuptim apo legjitimitet nga forca e interpretimit sesa për të habitur me mundësinë, me potencialitetet, me shumësinë ideve asnjëherë përfundimisht të artikuluara, sepse minimalizimi botës, nënshtrimi dhe mohimi është i lirë të drejtohet dhe përvetësohet, i takon botës në atë kuptim që i takon çdo objekti apo veprimtarie që ajo sjell apo  detyron të jetë i pranishëm, qoftë dëgjimi i muzikës, ngrënia e vezëve, “djali me zbehje të ujit të detit” apo shiut e ndërsa kështu, pohohet individi si i panevojë për realitetin që është aty të shërbejë si funksion ndaj (për) shkrimit që ky i bën atij pa u ndalur që ai (realiteti) ta përmbajë matanë këtij qëllimi. Që shkrimi të paraqitet si forcë që krijon iluzione më të fortë se realiteti, të tillë ia bëjnë atij të pamundur dëshpërimin, për sa kohë teksti është akt i përjetimit të kënaqsisë së re. Radikale e di…po ç’të bëj?

By ellipsis

13-07-03

Mesiguri ka për të ardhur një ditë së afërmi që atyre fatkeqëve (ose fatlumëve, në varësi të prespektivës ngushtësisht filozofike) që kanë lindur me mangësi mendore të ndonjë lloji ,  t’u legjitimizohet e drejta e dëmshpërblimit vetëm për faktin që kanë lindur, e nëse ky do jetërasti, për të gjithë ata që kanë shpresë, qytetarët duhet të kërkojnë me zë të lartë dhe pa frikë të drejtën e tyre natyrore për të qenë inteligjentë, gjë që në rastin jo domosdoshmërisht më të keq, do bëjë të mundësohet mbështetja financiare për budallallëkun. E vetmja vështirësi që i afrohet pamundësisë mund të vijë nga mundi torturues për të mbledhur provat.

By ellipsis

11 Mars 2007 ora 1:27 Am

Dola nga shtëpia në orën nëntë e gjysëm. Me gjasme më kanë gjetur punë dhe duhet të shkoja të shihja se ku është. Nuk e njoh fare qytetin ku jetoj prej 8 vjetësh. Vetëm në vendet ku kam punuar di të shkoj dhe në një librari librash të përdorur. Shoqëruesi im është ai që më ka gjetur punën dhe që vetë është duke shkuar të punojë. Ka zgjedhur vetë turnin e tretë. Ky është një maroken, djalë koloneli, inxhinier informatik. Puna e tij është të fusë ca gota plastike në kuti kartoni me kujdes dhe efikasitet. Rrugës flasim për shenjat që më duhet të mbaj mend sesi të mbërrij aty të nesërmen, si edhe për rëndësinë e anglishtes. Pas një ore e disa minutash, pasi shkembyem dy trena dhe morem një autobus tejet të rrallë e më shumë për mall arrijme në një zonë të shkretuar me ndërtesa të ulta dhe fasada të harkuara. Është e pamundur prej asaj pjese që shihet të merret me mend hapësira që zënë.  Kjo në të djathtë të autostradës. Në të majtë një kodër e vërtetë bore të murrme pa brezare. Përpara autostrada e gjerë dhe e shkretuar nga elektriku. Ana e majtë është ndarë prej një rruge dykalimshe në dy kuadratë asimetrikë. Atij në të majtë i brendashkruhet fabrika ku ashquajtshëm do punoj nesër, në të djathtë një fushë paanë e fund, meqenëse është natë dhe nuk ka fenerë të ngulur në të. Ca zhuka deri në mesin e hollë në dëborë që zverdhin rreth e rrotull një stende prizmatike trefaqëshe duken tërësisht në vendin e gabuar. Stenda ka ca fytyra politike dhe mesazhe të padëshifrueshëm. Ky vend mu duk mjaft intim.

Pasi pi një cigare me shoqëruesin tim përpara derës elektronike të ndërmarrjes dhe me një maroken tjetër, inxhinier mekanik me pamje prej latin loveri të pandërgjegjshëm, i pajisur me një indiferencë prekëse dhe të paditur, përshëndetem dhe largohem drejt stacionit të autobusit. Përpiqem të mos mendoj. Autobusi duhet të vijë për 15 minuta. Nxjerr nga përmidis barkut dhe rripit të pantallonave librin e trashë që kam marrë me vete. Tregime dhe Novela të Tomas Mann, ulem në stolin e strehës së stacionit dhe lexoj për Marion dhe Magjistarin. Ngre sytë për të parë çdo dritë makine që më hyn në vesh. Nuk dua ta humb autobusin kurrësesi. Përndryshe do me duhet të presë një orë e gjysëm përmidis një ajri me temperaturë -14 gradë dhe lagështirë 78 përqind, që e bën të ndihet temeraturën si -22. Rrëfyesi është për pushime në jug të Italisë. Diku në bregdet. Viti 1930. Atmosfera duket se do vijë e do bëhet më e papëlqyeshme, por është treguar me një mjeshtëri të tillë rrënuese, unë e lë veten të vrerosem deri në fund. Mendoj, siç më ndodh rëndom me shkrimtarë që më pëlqejnë, se Tomas Mann është shkrimtari më i madh i shekullit të kaluar. Një dritë tjetër bën zhurmë. Nuk është autobusi. Filloj të shqetësohem. Është fiks ora kur duhet të mbërrijë. Them se ndoshta për pak minuta. Pres. Nuk po vjen. Kalojnë plotë 12 minuta. Magjistari e ndiej që është demagog dhe sharlatan i pazhbirueshëm prej publikut të gjerë. Vë re se kam ngjashmëri dëshpëruese me të si personazh. Ai është një njeri i fëlliqur por i vetkënaqur. Më vret ndërgjegja shumë dhe filloj të urrehem. Mendoj me gjithë zemër se e kam hak punën në fabrikë dhe turnin e dytë. Bile nuk më duket vuajtje e vërtetë, më shumë i ngjan përkujtimit. 25 minuta, autobus kurrkund. Ftohtë. Mali me dëborë qëndron pa asnjë atribut përballë. Ah si nuk kam një lopatë të vogël! Dritat janë statike, të tëhuajtura dhe të lodhura. Pas meje zhukat nuk fëshfërijnë. Nuk dëgjohet asgjë. Jam vetëm. Magjistari ka filluar të bëjë prapësi që nuk do i kisha guxuar me aq dëshirë. Filloj ta ndiej veten më të mirë. Po jo dhe aq.

Vështroj përreth, nuk gjej ndonjë vend ku mund të kaloj pa pasoja natën. Nuk kam as një letër a metal me vlerë në xhep. Kjo vetëm për ti dhënë vetes shpresë, jo se do më hznin vërtetë në punë. Mendoj se mund të hap një vrimë në kodrën me dëborë…ah si nuk ka një lopatë çfarëdo, ti hapja një strofkë në shalë malit të pafajshëm. Porse nuk ia di dendësinë dhe qëndresën. Nëse më zë brenda duhet të më gjejnë nga fundi majit fillimi qershorit. Nuk e besoj se jam aq lig dhe përderisa e di që jam i lig, them se mund të përmirësohem. Në anën tjetër të rrugës vjen autobusi. Ka kaluar një orë e gjysëm që pres. Magjistari ka vdekur. E vranë. Unë  ngre paralelet me fatin tim. Kaloj me vrap autostradën e zbrazët të mbërrij sa pa u nisur autobuzin. Pyes shoferin nëse ka autobus tjetër në drejtimin tim. Sapo kaloi – thotë. Unë i buzëqesh me gojën e shtrembëruar nga ftoma por me mirësjellje dhe i them se unë kam plot një orë e gjysëm aty dhe unë nuk kam parë as takuar ndonjë autobus. Sapo përshëndeta shoferin më thotë ai i qetë dhe i përgjumur, pesë stacione më tutje. Pastaj me një ton mësuesi a prindi – Ti ku ishe? Në stacion i them unë pa mundur të ndërroj pozicionin e gojës duke ruajtur buzëqeshjen për pamjen e vërtetë të së cilës nuk e kam idenë. Më zë frika se mos ai mendon se jam idiot. Përpiqem të rregulloj gojën por arrij vetëm të kërcasë gjuhën brenda në gojë. E pyes nëse ka autobus tjetër më thotë se po. Për një orë. Unë prehem, por vazhdoj të buzëqesh, nuk dua ta besoj se duket si ngërdheshje. Ulem në stolin e strehës së stacionit. Gjaku i Waslungëve, apo sido që të thuhet.

By ellipsis