7 Mars 2007 ora 2:58 PM

“Me kë flas, kush dëgjon përtej”
Ervin Hatibi

Mund të këtë dhe ndonjë tjetër që e merr me mend që këto rradhë nuk kanë për të qenë ato që u menduan dhe nuk kanë për të thënë atë prej së cilës u shkaktuan. Jo larg kjo nga glosolalia, të zgjohesh- që është fundja po aq e papritur- dhe të flasësh një gjuhë tërësisht të panjohur, por mjeshtërisht, si të thuash; pa u rrekur. Ekziston dhe një term tjetër fantazmik, serendipiti, të zbulosh diçka cilësisht me vlerë për të cilën nuk ishe duke parë a kërkuar. Kyri. Kolombi. Ti. Pasi që u përmend glosolalia, serendipiti ishte që të të bënte të vëreje se ishte e pasaktë ajo që mendove, se për çfarë në të vërtetë ai krahasim e kallte fjalën. Në fakt nuk e kishe gabim. Në fakt, Kolombi nuk përmbushi veçse profecinë indiane, diç që ata e prisnin, të bardhët të vinin dhe ti asgjësonin.
Nëse duhej një fillim tashmë ai është, në një tjetër shkrim kjo ishte fjalia e parë, duke bartur në atë që e vijonte ekzistencën e vet dyshimtë. Pjesa tjetër(vazhdimi) rropatej që ta zhdukë atë dyshim jo duke folur për diç tjetër, ndonjë subjekt të cilit ai dyshim i duhej të qenësonte dialektikisht ndonjë të vërtetë të atyshme, të hëpërhëshme, por pikërisht për të. A duhej vërtetë të fillonte? Nëse i duhet të vazhdojë shërbehet me çfarë jo tjetër, edhe duke pyetur pse (duhet të vazhdojë).

“Çdo pikturë tregon një histori” thotë klisheja e mirënjohur. Por çfarë është kur ajo skenon dikë që rrëfen një ngjarje. Raleigh, ishte poet, eksplorator dhe hero naval që i prenë kokën në mes të karrierës, e ashtu edhe karrierën. Në pikturë ai është duke dëgjuar, me sa shihet, një histori frymë-mbajtëse prej një detari, gjë që ngeshëm e qashtër sugjeron për një pjesë të pse-së së të ardhmes të heroit.
Rrëfyesi ka kthyer shpinën, njëra dorë tregon vendosmërisht, bindshëm diku, një vend të padukshëm por të qenësishëm, në botën e vërtetë ku mund të ndodh çdo gjë, ndërsa dora tjetër kryen një gjest besimi, hipnoze, afrimi. Nuk shihet fytyra e tij, vetëm tendosja, përqëndrimi, ripërjetimi i energjik dhe përfshirës, ndërsa ai është domodoshmërisht i fshehur. Vështrimet e fëmijëve janë ngërthyer mbi të, më shumë kështu për Raleigh-in. Megjithqë ka prapë diç tjetër, vështrimi i tij është i pezulluar, nuk është krejtësisht mbi të, por mes asaj që ai sheh dhe asaj që ai dëgjon. Ajo që ai sheh nuk është përballë tij, është atje ku dora tregon, por ai ai nuk e ndjek. Si dikush, jashtë kornizës së rrëfimit, që po aq, nuk vështron atje ku dora tregon dhe vështrimi bie në qendër, mbi Raleigh-in dhe shokun e tij, prapë, më shumë mbi Raleigh-in; sepse e gjithë kjo po i ndodh më së shumti atij dhe është prej tij ku fillon një histori tjetër.
Nëse ata do shihnin atje ku dora tregon, magjia do shprishej, zhbëhej. Nuk do kishte më histori dhe rrëfyesi do e humbte tërësisht narrativën e vet e cila do degjeneronte në një tallje, broçkull, banalitet. Është e rëndësishme që ajo të vazhdojë të jetë ngjarje, por e treguar dhe e treguar bindshëm. Është e domosdoshme që ne mos ta shohim atë që tregon, që rrëfen. Ashtu që ne të vazhdojmë ta pezullojmë mosbesmin, të ndalemi përgjatë asaj kohe të jemi të ndërgjegjëshëm që në fakt ajo nuk po ndodh përveçse sepse ne duam të jetë ashtu derisa të mbarojë dhe të vazhdojë gjetiu në një tjetër formë. “This is a film” tha për një film njeri prej dy ish-jugosllavëve, Kusturica a Bergovici( po e këndoi ai tjetri Pop-ovici). “Po kujt i thua” nuk është më pyetje që shtrohet, bile as pse e tha, ne na gëzon guximi për të kotën që vetëm për inertësi kërkojmë ti japim një kuptim të cilin nuk duam ta gjejmë. Dikush tha “ sot në mëngjes isha e lumtur sepse i thashë vetes-Daniil Kharms nuk kishte asnjë arsye të bënte humor”. Këtu-tha Daniil Kharms- e ndërpresim historinë- që në fakt nuk filloi fare. Si të thoshte se nuk është në të vërtetë duke treguar asgjë. E ashtu mu si ai them- kjo nuk më intereson hiç për momentin. Ajo që më intereson është që, çfarëdo duhet të jetë fiktive që të ketë efekt. Duhet të jetë e treguar, të prezantohet në një formë që në një mënyrë apo një tjetër emblematizon artin. Ne vetëm ajo na prek, vetëm aty ajo ka të drejtë të ekzistojë bile sa më shumë të na largojë, ndërsa na përkthen prej asaj që jemi, aq më mirë ne ndihemi. Vetëm se i duhet të flasë posaçërisht për ne, të na shfaqë duke na përmirësuar, duke artikuluar çfarë ndiejmë por nuk ishim të sigurt që e dinim derisa na e thanë. Çfarë është prapë mashtrim, sepse, seriozisht, ty vetëm të duket që ashtu të ishte, të duhet e vërtetë sepse prapë, është pezulluar kësaj rradhe pa ndërgjegje, ndërgjegja vetë, vetëdija. Thuhet po ashtu se ai farë iluzioni krijohet sepse ajo që thuhet të ngec(poshtë fytit) si e vërtetë, prandaj dhe bindja se e ke ditur që më parë. Ndërsa ajo që dihet është përherë ajo që ke parë diku tjetër. Është art. Nuk është i vërtetë.

By ellipsis